Cikli Parashkollor
Medoda Reggio Emilia ka në qendër një fëmijë që njeh veten dhe të drejtat e tij, një fëmijë që është i interesuar për të zbuluar ambjentin që e rrethon dhe për të mësuar me një ritëm të natyrshëm në një komunitet ku ai respektohet, motivohet dhe inkurajohet të zhvillojë njohuri të reja. Mësuesit janë udhëzues të procesit të nxënies dhe bashkëkërkues në këtë rrugëtim.
Edukimi socio-emocional i fëmijëve
Rritja dhe edukimi i fëmijës bëhet në një lidhje shumë të ngushtë me ambientin që e rrethon. Klasat tona janë ambiente të ngrohta e mikpritëse për fëmijët. Ato shndërrohen në përshtatje me temat mësimore dhe materialet e përdorura janë sa më pranë natyrës. Pranë nesh, që në fillimet e tyre nxënësit kuptojnë se shkolla është një hapësirë ku ata mësojnë por dhe kontribuojnë, ku mendimet e tyre dëgjohen dhe vlerësohen si nga të rriturit dhe nga bashkëmoshatarët. Prindërit janë partnerë te rëndësishëm. Mësuesit janë udhëzues të ditës që me fleksibilitetin e tyre dhe respektin për interesin e nxënësve modifikojnë dhe përshtasin planet mësimore në mënyë të vazhdueshme. Gjatë ditës fëmijët mësojnë për nevojat dhe interesat e tyre dhe të shokëve nëpërmjet leximit të tregimeve dhe bisedave të rrethit të mëngjesit e lojës dramatike. Ky zhvillim organik i ditës është i qëllimshëm për të krijuar një ambjent në funksion të nevojave emocionale dhe sociale të fëmijëve të cilat influencojnë rritjen kognitive në moshat e vogla.
Projektet si udhëzues të eksperiencave mësimore
Baza e programit tonë bazohet në zhvillimin dhe realizimin e projekteve. Në këtë metodologji mësueset krijojnë një mjedis, ku fëmijët mësojnë përmes zbulimit aktiv dhe bashkëpunimit me të rriturit, me moshatarët e tyre në grup, duke krijuar lidhje funksionale me materialet didaktike. Projektet e kanë zanafillën në kuriozitetin e fëmijëve të kombinuar me vëzhgimin nga ana e mësuesve për të zgjedhur temat që garantojnë interesin dhe nxënien e fëmijëve. Ata përdorin materiale të larmishme si ato të gjetura në natyrë dhe materiale të shkencës, matematikës, artit dhe muzikës. Çdo grup realizon disa projekte vjetore. Një nga festat më të bukura të shkollës sonë është prezantimi i projekteve dhe EKSPOZITËS ku të vegjlit bëhen protagonistë të mbrëmjes teksa u tregojnë punët familjeve të tyre.
Edukimi për Planetin - Kujdestarë të shtëpisë së përbashkët të njerëzimit
Edukimi për planetin në nxënësit tanë më të vegjël, nis me njohjen dhe vlerësimin e të bukurës dhe perfeksionin që e gjejmë kaq shpesh në natyrë. Dielli me dritën dhe hijen është një mjet i gatshëm mësimor për të mësuar format, këndet, reflektimin dhe manipulimin e rrezeve. Nxënësit tanë dalin në ekskursione, luajnë jashtë dhe mësojnë për tema që janë të lidhura me natyrën dhe planetin. Cikli i jetës i bimëve dhe kafshëve, shqisat tona, fenomenet e natyrës, klima, stinët shpesh kthehen në tema të mirëfillta mësimore që i bëjnë ata të vëmëndshëm për rëndësinë e harmonisë midis nesh dhe planetit. Hapësirat në natyrë ku fëmijët luajnë dhe eksplorojnë së bashku mundësojnë dhe zhvillimin e shqisave dhe aftësive motorrike të vogla e të mëdha. Duke ndërthurur në mënyrë të qëllimshme temat mësimore me eksplorimet në natyrë nxënësit tanë pajisen me nocione etike të vlefshme për të ardhmen e tyre.